“Babanë e lanë te dera, nuk e prekte njeri me dorë!”, policia nis hetimet për dy motrat që akuzuan mjeken e Infektivit

Motrat të cilat hodhën akuza mbi mjeken e spitalit Infektiv Migena Qato, pas vdekjes së babait të tyre Rifat Lalo janë vënë nën hetim nga policia pas denoncimit që ka bërë mjekja e spitalit Covid1.

Policia bën me dije se “shtetaset E. L. dhe I. L., nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke”.

Behet fjalë për deklaratat e dhëna për mediat pak ditë më parë nga vajzat e të ndjerit Rifat Lalo, i cili humbi jetën në spitalin infektiv pasi ishte shtruar sepse ishte infektuar me koronavirus.

Dy vajzat, në kushtet e rëndesës emocionale për lajmin e vdekjes së të atit, akuzuan mjeken Migena Qato se nuk i ka shërbyer babait të tyre dhe nuk i ka bërë skaner.

Sjellim në vëmendje që deklaratat e dy motrave i komentoi edhe kryeministri Edi Rama që tha se vajzat kanë bërë komente politike dhe për shkak të dhimbjes nga lajmi i trishtë.

“Njerëzve iu dha një informacion gjysmak si për ato të tjerat që qanin babanë në derën e spitalit. QSUT tha saktësisht çfarë kishte ndodhur. Nuk kishte asnjë të vërtetë në atë deklaratë dhimbje dhe partie. Me respekt për ata që kanë dhimbje. I mirëkuptoj shumë më tepër ata që nga dhimbja që çdo fatkeqësi ia faturojnë mjekëve, se sa juve që bëni propagandë dhe për të marrë like.

Ne nuk kemi të drejtën të pretendojmë se punët janë perfektë. Çdo punë ka defekte se punë perfekte nuk ka. Ju lutem, njerëzit kanë nevojë për të vërtetën dhe për t’i dëgjuar të dyja palët dhe jo çdo kush që del te gardhi i Infektivit”, do deklaronte Rama.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E. L. dhe I. L., sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke.

Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Deklarata e vajzave të Rifat Lalos:
Na thanë që vetëm këtu kishte oksigjen, na thanë që nuk kishte vende të lira në spitale, vendosëm që ta sillnim këtu. Babai na merrte çdo çerek ore dhe na thoshte se nuk i bënin asgjë, e kishin lënë afër derës dhe kishte ftohtë.

Doktoresha Migena Qato nuk kishte një etikë mjekësore, ajo thoshte që po i bëjmë skaner, dhe babai thoshte nuk i bënin asgjë. Babai thoshte që të dilnin, ne komunikuam dhe me mjekë në Bruksel dhe tghoshin që nuk është gjendja aq e rëndë sa e thonë ata aty.

Ishim me mëdyshje nëse duhet ta nxirnim apo jo nga spitali, kërkuam që ta çonim në një spital tjetër. Babai thoshte jepni pare dhe më nxirrni nga këtu. Nuk kam për t’ia falur kurrë vetes këtë, që e shtruam babanë këtu. Kurrë më asnjë të afërm në publik, e vërtetuam këtë mbrëmë, me ikjen e babait tonë.

Na tha se e kishin lënë në një karrige, nuk e prekte njeri me dorë, babai ynë ishte intelektual. Kemi shumë pikëpyetje, babai ynë ka ikur me brengë në zemër, na iku tak fak.

Ne kemi burim nga brenda që nuk i është bërë skaner, ju lutem mos sillni prindërit këtu, të afërmit, e kemi të provuar që nuk i është bërë asgjë.

Be the first to comment on "“Babanë e lanë te dera, nuk e prekte njeri me dorë!”, policia nis hetimet për dy motrat që akuzuan mjeken e Infektivit"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*