Në Tajlandë identifikohet një lloj i ri i koronavirusit në lakuriqë, i ngjan SARS-CoV-2

Një lloj i ri i koronavirusit, i ngjashëm me atë që e ka shkaktuar pandeminë Covid-19, është identifikuar në gjakun e pesë lakuriqëve në Tajlandë.
Virusi SARS-CoV-2, që e shkakton sëmundjen Covid-19, e ka kodin gjenetik 91.5 për qind të njëjtë me virusin e identifikuar së fundi, që quhet RacCS203, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Besohet se ky virus nuk mund t’i infektojë njerëzit për shkak se nuk mund të ngjitet në receptorin ACE2 të qelizave të njeriut.
Megjithatë, antitrupat që ishin duke qarkulluar në gjakun e lakuriqëve dhe pangolinëve të infektuar u zbulua se janë efektivë për neutralizimin e virusit SARS-CoV-2.
Ekspertët kanë spekuluar se ky paradoks biologjik lë të kuptohet se koronaviruset me bazë në lakuriqë normalisht nuk mund t’i infektojnë njerëzit.

Autorët e studimit mendojnë se koronaviruset mund ta zhvillojnë aftësinë për t’i infektuar njerëzit pasi të kenë kaluar së pari te një kafshë tjetër.
Hulumtuesit e udhëhequr nga Universiteti Chulalongkorn në Bankok morën mostra nga lakuriqët në pjesën lindore të Tajlandës. Ata bënë sekuencim gjenetik në virusin e ri për të zbuluar se sa ngjan ai me koronaviruset tjera.

Pas studimit u zbulua se koronavirusi më i ngjashëm është një që quhet RmYN02, që materialin gjenetik e ka 93.6 për qind të ngjashëm me virusin SARS-CoV-2.
Më parë, viruse të ngjashme janë gjetur në Kinë dhe Japoni, por prania e këtij varianti në Tajlandë tregon se koronaviruset janë të përhapura në hapësirë shumë më të madhe sesa është menduar më parë, me gjasë në një hapësirë prej 3.000 miljesh në Azinë Juglindore.

Be the first to comment on "Në Tajlandë identifikohet një lloj i ri i koronavirusit në lakuriqë, i ngjan SARS-CoV-2"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*