Nëna e Musaenit të vrarë në Velipojë, tregon si lau në morg rrobat e tij pa e ditur që ishin të djalit të saj 19-vjeçar

Në shtëpinë e Anila Zenelit ra një tragjedi e madhe.Mesnatën e 28 qershorit djali i saj, Musaeni mbeti i vrarë pas një konflikti për shezlonat, mes pronarëve të dy lokaleve, në njërin prej të cilëve punonte edhe 19-vjeçari. Musaeni ishte viktima e pafajshme e masakrës në Velipojë.Prej muajsh ai mundohej të mbante familjen. Jetonte vetëm me nënën dhe vëllanë, pasi babanë e kishte humbur.Ai u mbyt në lumin Drin 12 vjet më parë.Që prej asaj kohe Musaeni duhej të kujdesej për nënën dhe vëllanë e vogël. Nëna e Musaenit, ndonëse me zemrën copë nga dhimbja e madhe,foli për Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, për të treguar çastin kur mori vesh për humbjen e të birit.
“Unë nuk e dija që fëmija im ishte vrarë në Velipojë.Djalin e çuan në morg, emrin nuk ia shkruan Musaen Zeneli, siç e ka, por Myzerim dhe kjo ngatërroi shumë njerëzit.Edhe njerëzit e mi nuk e dinin. Unë shkova në punë në gjashtë e gjysmë se punoj te lavanderia e spitalit. Lava rrobat me gjak të djalit dhe nuk e dija që ishte fëmija im që po lahej në morg. Unë nëna e tij, atë mëngjes shkova në morg dhe nuk dija që djali im ishte aty.
A ka më hall për nënën.Unë e mora vesh që ishte në morg, por më thanë:“Nuk është djali yt” sepse nuk donin të më çonin te morgu. Por zemra e nënës ndjen çdo gjë! M’u këput zemra, trupi e shpirti.”, thotë mes lotësh nëna e Musaenit.
I riu nga Bahcallaku punonte në zonën e plazhit, në biznese të ndryshme. Së fundmi kishte folur me vëllezërit Gocaj për t’i gjetur punë. E shtuna ishte dita e parë e punës, por qëlloi të ishte edhe dita e fundit e jetës së riut, historia e të cilit preku gjithë Shqipërinë. Musaeni ishte shumë i gëzuar që gjeti punën, thotë zonja Zeneli për Dritare TV
“Djali ishte shumë i gëzuar që gjeti punën.Unë si prind Velipojën e njoh shumë mirë, por nuk di se te cili lokal ka shkuar, por ishte shumë i gëzuar për punën.Bëri dhe diplomën dhe e vesha si dhëndër për mbrëmjen e maturës. Edhe shokët e klasës erdhën të tërë me lule, me karafila, sot kur futa djalin nën dhe. Më ka mbetur shumë në mendje gëzimi i djalit. Më dhemb shpirti.
Unë si nënë kam një dhimbje të dyfishtë, sepse për Musaenin isha dhe nënë dhe babë. Babai m’i la kur djali i madh ishte 12 vjeç dhe i vogli 7. Në 2009-ën u mbyt i babai i fëmijëve dhe në 2010-ën e gjetën. 4 muaj qëndroi trupi i tretur pa ditur se ku ishte. Mbas 4 muajve është gjetur i mbytur.As fëmijët, as unë nuk e dinin ku ishte.”
E pyetur nga Dritare.net se çfarë kërkon në këto momente zonja Zeneli tha:
“Ta mendojë shteti çfarë dua unë sot. Shpirti im e di çfarë po kalon.”, tha zonja Zeneli.

Be the first to comment on "Nëna e Musaenit të vrarë në Velipojë, tregon si lau në morg rrobat e tij pa e ditur që ishin të djalit të saj 19-vjeçar"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*