Nga e hëna nxënësit i rikthehen sërish shkollave. Ministrja njofton si do të zhvillohet procesi mësimor

Duke filluar nga dita e hënë nxënësit e shkollave fillore dhe ato të mesme do të rikthehen sërish në banka. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Evis Kushi e cila në një njoftim në Facebook thotë se do të vazhdohet skenari i mëparshëm.

Njoftimi i ministres se Arsimit

Të dashur nxënës, mësues dhe prindër!

Ju falenderoj pa masë për mirëkuptimin dhe sakrificën e treguar gjatë kësaj jave, në të cilën përveç situatës së rënduar nga pandemia e COVID-19, u shtuan edhe problematikat e një moti të acartë në të gjithë vendin.

Dua t’ju informoj që nga dita e hënë, datë 22 shkurt 2021, të gjithë do t’i rikthehemi skenarit të mëparshëm. Pra, mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, publik dhe jopublik, do të zhvillohet si më poshtë:

– nxënësit e ciklit fillor (klasa 1 – 5) në shkollë;

– maturantët në shkollë;

– dhe nxënësit e klasave 6 – 11 sipas skenarit të kombinuar.

Ndërkohë, shkollat e mesme që ndodhen në zonat me risk të lartë (Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz) do të vazhdojnë “online” deri më datë 26 shkurt 2021, sipas sugjerimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Gjatë këtyre ditëve kam pasur shumë mesazhe prej jush, me shqetësime të ndryshme, disa që kërkojnë kthimin në shkollë e disa të tjerë që i tremben situatës së pandemisë. Dua t’ju siguroj edhe një herë të gjithëve që vendimet tona bazohen në prioritetin absolut për shëndetin, sigurinë dhe mirëqënien e fëmijëve tanë.

Prandaj, duke shprehur edhe një herë mirënjohjen e thellë për durimin që keni treguar këto kohë, dua të përsëris apelin e fortë që të gjithë së bashku të tregohemi sa më të kujdesshëm në respektimin e të gjitha rregullave të përcaktuara, brenda e jashtë shkollës, sepse vetëm kështu mund të ndihmojmë për të mos lejuar përhapjen e virusit.

Ju uroj sa më shumë shëndet e suksese të gjithëve!

Be the first to comment on "Nga e hëna nxënësit i rikthehen sërish shkollave. Ministrja njofton si do të zhvillohet procesi mësimor"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*