Opozita ruse përfshihet nga konflikti i brendshëm ndërsa vendi pret trazira të tjera

Një politikan liberal rus i mirënjohur ka ndezur një përplasje mes grupeve të opozitës së vendit duke sulmuar ashpër kritikun e Kremlinit Aleksei Navalni. Ai thotë se rruga ku zoti Navalni kërkon ta fusë vendin nuk do të siguronte një jetë pa shtypje.

“Të gjithë duhet të vendosin nëse duhet ta mbështesin Navalnin apo jo”, shkruante në twitter këtë javë Grigori Javlinski. “Por ju duhet ta kuptoni se një Rusi demokratike, respekti për njerëzit dhe një jetë pa frikë e shtypje janë të papajtueshme me politikat e Navalnit”, shtoi ai.

Zoti Javlinski, i cili ka kandiduar dy herë për postin e presidetit të vendit, në 1996 kundër Boris Jelcinit dhe në 2000 kundër Vladimir Putinit, është themelues i partisë “Jablloko”, e cila favorizon ekonominë e tregut të lirë dhe liberalizmin social. Edhe në të kaluarën ai ka qenë kritik ndaj zotit Navalni dhe këtë javë ripërsëriti akuzën se politikani kryesor i opozitës ruse është ksenofob dhe një nacionalist autoritar.

Sulmi i zoti Javlinski ka shkaktuar ndarje brenda partisë që ai themeloi dhe ka sjellë përplasje më të gjera mes opozitës. Kjo vjen mes sinjalesh se protestat e fundit kundër Kremlinit dhe kërkesat që Navalni të lirohet nga burgu, nuk po përqafohen nga shumica e rusëve dhe se goditja e stilit paramilitar ndaj disidentëve po bëhet pengesë për të tjerë për të marrë pjesë në protesta ose të bëhen pjesë e ndonjë aksioni të ardhshëm politik.

Një sondazh i kryer nga qendra e pavarur “Levada” zhvilluar mes 29 janarit dhe 2 shkurtit tregon se ka pak oreks publik për trazira. Zoti Navalni u arrestua muajin e kaluar në Moskë, i sapo kthyer nga Gjermania, ku ndodhej për kurim pas një helmimi gati fatal, për të cilin ai fajëson Kremlinin.

Në dy javët e fundit, mbështetësit pro-Navalnit kanë protestuar në më shumë se njëqind qytete të Rusisë. Protestat më të mëdha u zhvilluan në kryeqytetin e vendit dhe Shën Petersburg. Më shumë se 11,000 vetë janë arrestuar në tubime kundër burgimit të Aleksei Navalnit, i cili u shndërrua nga një bloger në një aktivist anti-korrupsionit.

Be the first to comment on "Opozita ruse përfshihet nga konflikti i brendshëm ndërsa vendi pret trazira të tjera"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*