Takim i tensionuar SHBA-Kinë në Alaskë

Administrata e Presidentit Biden filloi të enjten bisedimet e para të nivelit të lartë në prani fizike me Kinën rivale, duke thënë se veprimet kineze kërcënojnë rendin global të bazuar në rregulla dhe duke u zotuar se Uashingtoni do të mbështesë miqtë e tij.
“Ne nuk kërkojmë konflikt, por ne e mirëpresim konkurrencën e fortë dhe ne gjithmonë do të mbrojmë parimet tona, për njerëzit tanë dhe për miqtë tanë”, tha këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, në fillim të bisedimeve me homologët e tij kinezë në Alaskë.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken i tha diplomatit të lartë të Kinës, Yang Jiechi dhe Këshilltarit të Shtetit Wang Yi në Ankorixh se pala amerikane do të diskutonte “shqetësimet e saj të thella” në lidhje me veprimet kineze në Xinjiang, Hong Kong dhe Tajvan, si dhe sulmet kibernetike ndaj Bashkuara Shtetet dhe presionin ekonomik ndaj aleatëve.

“Secila prej këtyre veprimeve kërcënon rendin e bazuar në rregulla që ruan stabilitetin global,” tha ai.
Në përgjigje të gjatë ndaj deklaratave të hapjes nga Shtetet e Bashkuara, Yang u kundërpërgjigj, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për përdorimin e fuqisë së tyre ushtarake dhe epërsinë financiare për të bërë presion ndaj vendeve dhe për abuzim të sigurisë kombëtare për të kërcënuar të ardhmen e tregtisë ndërkombëtare.
Ai tha se Xinjiangu, Hong Kongu dhe Tajvani ishin të gjitha pjesë të pandashme të territorit kinez dhe Kina kundërshton me vendosmëri ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në punët e saj të brendshme.
Zoti Yang tha se të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara ishin në një pikë të ulët me “therjen” e afrikano-amerikanëve dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të merren me punët e tyre dhe Kina me të vetat.

Zyrtari Yang tha se ishte e nevojshme të braktisej “mentaliteti i Luftës së Ftohtë” dhe konfrontimi.
“Mënyra se si ne e shohim marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara, siç ka thënë Presidenti Xi Jinping, është se ne shpresojmë të mos shohim asnjë konfrontim, asnjë konflikt, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara nga i cili të dyja vendet përfitojnë”, shtoi zoti Yang./VOA

Be the first to comment on "Takim i tensionuar SHBA-Kinë në Alaskë"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*